Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka thënë se është “shumë i shqetësuar” për luftimet pranë uzinës bërthamore të Zaporizhzhia në Ukrainën jugore, raporton BBC.
Deklarata e tij u bë gjatë një samiti me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe liderin turk Rexhep Tajip Erdogan në Lviv.
“Çdo dëm i mundshëm në Zaporizhzhia është vetëvrasje”, paralajmëroi Guterres.
Ky ishte takimi i parë i Zelenskyt dhe Guterres që prej muajit prill.
Ndërkohë presidenti turk i bëri jehonë shqetësimeve të shefit të OKB-së, duke u thënë gazetarëve se edhe ai është i shqetësuar për rrezikun e “një tjetër katastrofe si ajo e Çernobilit” .
Javët e fundit zona përreth centralit, të cilin Rusia e mori nën kontroll në mars, është vënë nën shënjestrën e artilerive të rënda ruse.
Ndërkohë Kievi dhe Moska fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet dhe dëmet që po shkaktohen në një nga centralet bërthamore më të mëdha të Europës.
Përpara takimit të së enjtes, Zelensky kritikoi sulmet “e qëllimshme” ruse në termocentral.