30 efektivë nga Forcat Tokësore, janë nisur për në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR. Efektivët janë pjesë e Batalionit Komando, dhe Regjimentit të Operacioneve Speciale.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes e vlerësoi këtë si një moment të veçantë.
“Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve dhe në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës”, u shpreh gjatë fjalës së tij Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes theksoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë ndaj aspiratave të Kosovës, por vlerësoi edhe rritjen e pranisë së forcave të vendeve të Aleancës di pjesë e KFOR.
“Mbështetja e Kosovës në aspiratat e saj kundrejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e paqes dhe sigurisë, inkurajon zhvillimin e rajonit dhe frenon zgjerimin e influencës të vendeve të tjera që sfidojnë demokracinë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ministri.
“Sfidat tona të sigurisë mbeten të përbashkëta, të pandashme dhe të gjithanshme. Ato vijnë nga çdo drejtim, dhe mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Ministria e Mbrojtjes vlerëson dislokimin dhe rritjen e prezencës së forcave të armatosura të vendeve aleate dhe partnere në Misionin e KFOR-it.”, shtoi më tej ai.
30 trupat do të shërbejnë në zonën e Pejës, krah për krah me kolegët e tyre italianë dhe kroatë.