Kruja u zgjua e tronditur mëngjesin e sotëm për shkak të një shpërthimi me eksploziv. Tritoli shpërtheu në lagjen “Borati” në çatinë e banesës së biznesmenit Altin Keqi.
Fatmirësisht nuk ka të lënduar. Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme të vogla materiale. Altin Keqi është pronar i dy serviseve të celularëve në Krujë dhe Fushë-Krujë.
Paraprakisht dyshohet se tritoli është vënë për shkak të konkurrencës. Ai ka deklaruar në polici se nuk ka konflikte.
Nisur nga vendi ku është vendosur tritoli, në çatinë e shtëpisë, mesazhi duket se ka qenë i qartë për Keqin; “ta vë bombën në kokë”.
Por pyetja shtrohet, si e vendosën aty?
Policia paraprakisht tha se autorët e kanë hedhur eksplozivin mbi çati, por nuk përjashtohet edhe pista tjetër që të jetë vendosur me dron.
Kjo skemë nuk është e panjohur. Një vit më parë iu vendos tritol me dron njërit prej bizneseve të ish-ministrit Lefter Koka.
E njëjta strategji u përdor për të goditur edhe një personazh të njohur të botës së krimit në Fushë Krujë pak kohë më parë.