Marrëveshja e arritur mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës është padyshim arritje e Kryeministrit Kurti.
Kritikët duhet të pranojnë arritjet dhe t’i komplimentojnë ato në mënyrë që të jenë të besueshëm kur kritikojnë.
Mohimi i tërësishëm cënon besueshmërinë. Nëse shqiptarët e Kosovës udhëtojnë për në Serbi, vetëm me ID të lëshuara nga shteti i Kosovës, pa telashe, është një ndryshim i madh me atë që ka qenë më përpara.
Kurti po luan fort. Domethënë po kërkon maksimumin pavarësisht nga letrat që ka në dorë. Në poker kjo quhet bllof.
Një herë të thonë “pass” dhe ti fiton. Por herën tjetër ndoshta thonë “visto” e kjo nuk shkatërron vetëm karrierën e Albin Kurtit por vë në diskutim të ardhmen e Kosovës.
Nëse Kurti e ka arritë këtë fitore duke cënuar raportet me amerikanët (ka shenja të tilla) dyshoj se fitorja ka vend për festime.
Letrat fituese të Kosovës i ka Amerika. Nëse ata tërhiqen nga mbështetja e Kosvës, Serbia e viston bllofin.
E drejta shpeshherë nuk fiton, sidomos kur atë e përfaqëson i pafuqishmi i vogël. Prandaj shërbejnë aleancat strategjike.
Të vegjlit bëhen me të mëdhenj që konflikti të mos jetë vetëm me ta. Të mëdhenjtë i mbështesin me kushtin që ata të jenë të bindur.
Nuk ka vend për të pabindur në aleanca. Nga një anë kërkon të shtosh praninë e forcave të NATO-s në Kosovë nga ana tjetër i kundërshton aleatët kur të kërkojnë sakrifica.
Megjithatë, për momentin, Kosova ka bërë një hap përpara dhe meritor për këtë është ekskluzivisht Kryeministri.
Uroj që hapi tjetër të jetë gjithashtu përpara, përndryshe fajtori do të jetë ekskluzivisht ai…
Deri atëhere urime Kurtit dhe VV!