Presidenti i Serbisë, Vuçiç u shpreh se Serbia ka arritur të nxjerrë më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Prishtinën.
Ai shtoi se marrëveshja për dokumentet e hyrje-daljes është verbale sepse është marrëveshje e nënshkruar më 2011.
“Për shkak se marrëveshje veç është e nënshkruar nuk ishte e vështirë, ishte e lehtë për të gjithë”, tha Vuçiç.
Vuçiç tha se është “gjithmonë” i gatshëm që të marrë pjesë në mbledhje të Kuvendit të Serbisë sa i përket Kosovës.
Bashkimi Evropian njoftoi më 27 gusht se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për eliminimin e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.
Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.
Më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i qeverisë së Kosovës për targat e makinave.
Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.