Jemi mësuar të dëgjojmë për rastet e përdhunimeve tragjike të vajzave e të grave kosovare gjatë kohës së luftës.
Janë tronditëse dhe e kemi kollaj të urrejmë armikun dhunues.
Po rasti i vogëlushes 11 vjeçare nga djem të “të njëjtit fis” është vërtet shokues. Kemi të bëjmë kështu me instinkte shtazarake, që, sa më e emancipuar të jetë një shoqëri, aq më mirë i zbut, i kontrollon dhe i drejton ato.
E kundërta ndodh në shoqëritë e paemancipuara.
Është rast tipik dhune në shoqëritë tona të dhunshme, ku vajzat, më parë se sa të mësohen si të sillen e si të mbrohen, iu hiqet liria nga familja e tyre (dhe ato rebelohen duke u larguar vetëm nga shtëpia ose duke fshehur brenda vetes çdo provokim, derisa ndodh tragjedia) apo në bankat e shkollave askush nuk iu flet për edukim seksual (i cili përfshin në radhë të parë, mbrojtjen e fëmijëve dhe të adoleshentëve).
Në rastin e vajzës 11- vjeçare mendoj se nuk është përdhunuar vetëm vogëlushja, por janë “dhunuar” dhe djemtë e mitur.
Këta mësohen dhe shtyhen nga të rriturit se mund të ndihen burra, vetëm kur mësojnë duke përdhunuar.
Një rast tipik, ku të rriturit e grupit duhet të marrin dënim maksimal jo vetëm për atë çka i shkaktuan të miturës, por dhe për nxitjen e djemve të vegjël (madje njëri ishte vëllai i madh i të miturit përdhunues).
Dhe së fundi, mendoj se nuk ka nevojë për thirrje e sharje që thellojnë ndarjet gjinore, përkundrazi.
Këto raste tregojnë që në shoqëritë tona edukimi i djemve dhe i vajzave le për të dëshiruar. Aty i ka rrënjët e keqja dhe ato duhen shkulur me veprime konkrete që fillojnë nga familjet e secilit prej nesh, por dhe të shkollës, shtetit etj.