Në samitin e radhës të iniciativës Ballkani i Hapur, që mbahet më 2 shtator në Beograd do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Hungaria dhe Turqia.
Sipas presidencës serbe do të presin ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
Të pranishëm do të jenë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Po ashtu kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnje-Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija.
Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk janë pjesë e saj. Në samitin e radhës pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve bilaterale.
Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje që mëtojnë të lehtësojnë lëvizjen në mes të shteteve.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur këtë nismë, ndonëse kanë përsëritur se për të qenë e suksesshme, në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet.