Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentes, ka reaguar pas dënimit të të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në një postim të bërë publik, ajo theksoi se ky aktgjykim është një përgjigje e rëndësishme ndaj një krimi që tronditi të gjithë vendin, duke nënvizuar se drejtësia do të vijë për ata që mendojnë se mund të shmangin pasojat e veprimeve të tilla.
Haxhiu u shpreh se ky dënim, megjithëse nuk mund të sjellë Liridonën prapa, është një mesazh i qartë që nuk ka vend për krime të tilla në shoqërinë tonë.
“Sot, me dënimin me burgim të përjetshëm të përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, drejtësia dha një përgjigje të merituar dhe të fortë ndaj një krimi të rëndë që tronditi mbarë vendin. Përpjekja e të dënuarve për ta fshehur vrasjen pas skenarëve të rremë vetëm sa e rëndoi edhe më shumë këtë akt mizor. Asnjë vendim gjykate nuk e kthen Liridonën pranë fëmijëve të saj, pranë vëllaut, pranë familjes por ky aktgjykim e bën të qartë se askush nuk mund të planifikojë, të urdhërojë apo të kryejë një krim të tillë dhe të mendojë se do t’i shpëtojë drejtësisë”, ka shkruar kryeparlamentarja në Facebook.
Sot e kujtojmë Liridonën me dhimbje dhe respekt. Nderimin më të madh për të do ta tregojmë duke ndërtuar një Kosovë ku çdo grua jeton e lirë, e mbrojtur dhe me dinjitet. Në këto momente, jam pranë familjes së saj dhe uroj që ky vendim, sado pak, t’u sjellë një grimë qetësie në dhimbjen e tyre të thellë.









