Mihail Gorbaçov, i cili vdiq dje, vizitoi Jugosllavinë më 1988. Me atë rast, më shumë tregoi interesim për modelin slloven të socializmit se sa për beton-kokat e komunizmit serb. Më 1991 Sllobodan Millosheviqi dhe gjeneralët e tij përkrahën puçin e komunistëve të vjetër kundër Gorbaçovit. Një veprim që Gorbaçovi dhe presidenti rus Boris Jelcin nuk ia harruan liderit serb. Në vitet 90-të Rusia më shumë e përkrahu Serbinë me fjalë se sa me vepra. Pa dashje të rusëve, kjo i konvenoi Kosovës më 1999, kur ndërhyri NATO: Moska u zemërua, por nuk lëvizi nga vendi.
Më 1985 në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik erdhi Mihail Gorbaçovi. Ishte politikan pak më ndryshe nga burokratët me mendime të vjetra. Ai dëshironte ta shpëtonte Bashkimin Sovjetik, por e dinte se ndryshimet ishin të pashmangshme. Dy fjalë mbeten të lidhura me emrin e tij: Perestrojka dhe Glasnosti, ristrukturim dhe hapje.
Mihail Gorbaçovi i dha fund Luftës së Ftohtë, u nderua me çmimin Nobel për Paqe, u angazhua kundër garës së armatimit (i vetëdijshëm që Bashkimi Sovjetik nuk mund të vazhdojë garën me Perëndimin) dhe ndër vendimet e tij të para ishte: ndalimi i vodkës. Më shumë punë dhe më pak vodkë – kjo ishte motoja e tij. Rusët nuk e pritën mirë ndalimin e vodkës.
Gorbaçovi e ndryshoi botën, por nuk arriti ta ndryshojë vendin e tij. Ndërtimi i demokracisë në Bashkimin Sovjetik ishte mision i pamundshëm. Por së paku nuk e pengoi rrëzimin e Murit të Berlinit. Nuk ndërhyri as kur shtetet e Europës Lindore zgjodhën rrugën e demokracisë dhe ikën nga hemisfera sovjetike. “Besoj se rreziqet i presin vetëm ata që nuk reagojnë ndaj jetës”. Me këtë fjali Gorbaçovi ia bëri të qartë liderëve komunistë të Europës Lindore se nuk mund të presin ndihmë vendimtare nga Moska. Më 1953 Moska kishte ndërhyrë në Gjermaninë Lindore (komuniste) për të shtypur protestat kundër regjimit komunist. Më 1956 kishte shtypur lëvizjen reformatore në Hungari, më 1968 në Çekosllovaki.
Mihail Gorbaçovi erdhi në krye të partisë komuniste sovjetike pasi paraardhësit e tij vdiqën njëri pas tjetrit. Pas Leonid Brezhnjevit shef i superfuqisë sovjetike u bë Juri Anropov, një kuadër nga shërbimi sekret KGB. I sëmurë rëndë që kur mori postin, ai vdiq më 1984. Pas tij u zgjodh Konstantin Çernenko. Edhe ky luftonte kundër vdekjes. 13 muaj më vonë vdiq. Grupi i komunistëve të vjetër dëshironte sërish dikë nga radhët e veta, por në fund dominoi bindja se Bashkimit Sovjetik i duhej një lider më i ri. Mihail Gorbaçovi ishte në fillim të të pesëdhjetave. Jo vetëm shumë më i ri se salloni i pleqve komunistë, por edhe funksionar me ide të veta, një njeri me plot vetëbesim.
Në Perëndim Gorbaçovi fillimisht u shikua me skepticizëm. Kancelari gjerman Helmut Kohl në një intervistë me Newsweek e krahasoi Gorbaçovin me Joseph Goebbelsin, shefin e propagandës naziste: “Ai është lider modern komunist, i cili merr vesh nga marrëdhëniet me publikun. Goebbelsi, njëri nga ata që kanë qenë përgjegjës për krimet e erës së Hitlerit, ka qenë edhe ekspert i marrëdhënieve me publikun”. Pas tensionimit të raporteve mes Bonnit dhe Moskës, qeveria e Kohlit saktësoi se kancelari nuk kishte bërë krahasim mes dy figurave.
Më vonë Mihail Gorbaçovi do të jetë udhëheqësi kyç i Bashkimit Sovjetik që pranoi bashkimin e Gjermanive. Me Helmut Kohlin i lidhi një raport mirëbesimi. Një epokë të re Gorbaçovi nuk e kishte paralajmëruar vetëm me idetë e tij për reforma, por edhe me fillimin e tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani më 1988. Më 1979 mijëra ushtarë sovjetikë ndërhynë në Afganistan.
Më 14 mars 1988 Gorbaçovi vizitoi Jugosllavinë e atëhershme. Qëndroi pesë ditë. Më shumë i interesoi Sllovenia se Serbia. Në atë kohë të ardhurat për kokë banori në Slloveni ishin 5000 dollarë. Këtë shembull “duhet ndjekur”, tha Gorbaçovi. Foli edhe për miqësinë mes serbëve dhe rusëve.
Por politikanët agresivë dhe hegjemonistë serbë si Sllobodan Millosheviqi, e shikonin Gorbaçovin me mosbesim. Borisav Joviqi, njëri ndër funksionarët më të besueshëm të Millosheviqit, në ditarin e tij për datën 13 shkurt 1991 shkruan: “Pas mbledhjes së sotme të kryesisë (RSFJ) në të cilën morën pjesë kryetarët e kryesive të republikave dhe krahinave (temë ishte Kosova) qëndruan në zyrën time Velko (Kadijeviqi), Pera Graçanin, Slloba Millosheviq, Dragutin Zellenoviq dhe unë. Bisedë jozyrtare dhe pa obligime.
Fillon Slloba:
– Për zotin do të ketë luftë…
Velko (në fund) thotë: ‘Për të gjitha është fajtor Gorbaçovi. Shumë lirë e shiti idenë e socializmit dhe komunizmit. Shembi Paktin e Varshavës, shkatërroi socializmin në Europën Lindore, destabilizoi BRSS-në, dhe për ne më e keqja është se prishi raportin e forcave në Europë dhe i uli të gjithë komunistët në bankën e të akuzuarve. Tash duhet të mbrohemi, ndonëse kemi vdekur në mbrojtje të vendit dhe ndërtimin e tij”. Velko Kadijeviqi ishte shefi i Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe ministër i Mbrojtjes në çastet e fundit të Jugosllavisë. Komunist dhe prosovjetik, me gjasë shumë i afërt me KGB-në. Pas rrëzimit të Millosheviqit, iku në Moskë më 2001. Nga 2005 jetoi atje si refugjat, më 2008 mori shtetësinë ruse. Vdiq në Moskë më 2014.
Mes 19 dhe 21 gushtit të vitit 1991 një grup funksionarësh nostalgjikë sovjetikë, tentuan ta heqin nga pushteti me puç Mihail Gorbaçovin. Ndërsa bota u tmerrua, socialistët serbë të Sllobodan Millosheviqit dhe gjeneralët si Velko Kadijeviqi përshëndetën përpjekjen për grusht të shtetit në Moskë. Këtë nuk ia harruan Millosheviqit as Gorbaçovi (i cili së shpejti mbeti pa pushtet), por as presidenti i Rusisë Boris Jelcin, i cili u doli përballë puçistëve. Moska i dha një përkrahje të rezervuar Serbisë në vitet 90-të, por nuk rrezikoi asnjëherë konfrontimin me Perëndimin për shkak të Millosheviqit. Më 1999 kundërshtoi me fjalë por jo me vepra ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë për shkak të terrorit në Kosovë. Kur Tribunali i Hagës ngriti aktakuzë kundër Millosheviqit, Gorbaçov e përshëndeti këtë vendim. Më vonë Gorbaçov kritikoi intervenimin e NATO-s dhe tha se Tribunali i Hagës është dashur të lejojë trajtimin e Millosheviqit në Moskë para se të vdiste. Këto ishin deklarata të një politikani plak dhe të frustruar.
Gorbaçov tentoi të kthehet ne politikë disa herë. Pa sukses. Kur njëherë gjatë një interviste e pyetën se përse nuk e do askush në Rusi, ai u përgjigj me një pyetje: “A njihni ndonjë reformator që pëlqehet?” Gorbaçovi me apo pa dashje bëri dy gjëra epokale dhe të mira: varrosi Bashkimin Sovjetik dhe ndihmoi që në Europën Lindore të triumfojë liria dhe demokracia.