Ndodh krisja e parë mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Shkak greva.
Duke parë situatën e rënduar të krijuar nga grevat në arsim dhe moskomunikimin në mes të Qeverisë dhe SBASHK-ut që drejtohet nga Rrahman Jasharaj, ka ndërhyrë Vjosa Osmani.
Presidentja sot do të takohet me Jasharajn ku do të flasin për të gjetur një zgjidhje se si të ecet përpara.
Për një ndërhyrje të tillë të presidentes duket se i ka mbetur hatri kryeministrit të Qeverisë së Kosovës.
Albin Kurti gjatë konferencës për media bashkë me ministrin Hekuran Murati ka theksuar disa herë se si kryeministër e takon vetëm kreun e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura (BSPK-së) Atdhe Hykollin, dhe jo liderë sindikal të tjerë ndaras.
Kurti ka potencuar se nuk është në rregull që të kapërcehet Atdhe Hykolli e të takohet me liderë të degëve sindikale.
“Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së.
Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takoj liderë të degëve sindikale, sepse ashtu s’ka rregullsi”, tha sot Kurti në konferencë.
“Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë.
Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara”, ka thënë sot kreu i Qeverisë.