Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dje u emërua në krye të AMP. Ai zuri vendin e Muhamet Rrumbullakut.
Po ku do të shkojë ky i fundit? Rruga u shtrua. Pritet vetëm zyrtarizimi për të pasuar Gledis Nanon në krye të policisë së shtetit.
Fakt pritet që të bëhet javën e ardhshme. Në mbledhjen e qeverisë do të kalojë emri i tij më pas do të drejtohet drejt zyrës ku tani i komanduar është Tonin Vocaj.
Efektivët e thjeshtë, por edhe drejtuesit në qarqe nuk po kalojnë një moment aspak të mirë.
Në njërën anë është krimi që po godet fuqishëm, vetëm dje kishte disa ngjarje kriminale; vrasje në Shkodër, plagosje në Peshkopi dhe Vlorë.
Në krahun tjetër janë ethet nga lëvizjet. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se Nano u shkarkua për mungesë rezultatesh.
Tashmë drejtori i ri pritet që të nisë ndryshimet e forta nga kupola në bazë.
Lëvizjet e shpeshta pa rezultat nuk e favorizojnë strukturën e policisë përballë krimit që është konsoliduar.