Kryeministri Edi Rama dhe ish-presidenti Meta kanë kujtuar ditën e Nënë Terezës. Rama kishte një mesazh të shkurtër. “Mirëmëngjes dhe në këtë Ditë të Shenjtërimit të gruas së paqes në botë, shqiptares Nënë Tereza, ju uroj një javë të mbarë”.
Kryetari i Partisë së Lirisë brenda postimit kishte edhe një mesazh politik, referuar situatës aktuale. “Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës na kujton sot rëndësinë e shërbimit me dashuri, përulësi dhe përkushtim ndaj kujtdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përkrahje sociale si dhe për t’u angazhuar fuqimisht për rikthimin e shpresës për një jetë dinjitoze, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më të dhembshur dhe pranë halleve të përditshme të qytetarëve. Shën Nënë Tereza, simboli i jashtëzakonshëm i nënës shqiptare është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe” shkruan ai.