Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, priti të martën në Berlin, homologun e saj nga Kosova, Armend Mehaj.
Siç bëjnë të ditur burime të DW pranë Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, në takim është biseduar për gjendjen në Kosovë dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
“Pa paqe në Ballkan, nuk ka stabilitet në Evropë“, shkroi ministrja Lambrecht pas takimit në një mesazh në Twitter: Ajo përshëndeti marrëveshjen e arritur kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës për rregullat e hyrje-daljeve. Por paralajmëroi se “do të duhet frymëmarrje e gjatë”
Lambrecht siguroi mbështetjen e Gjermanisë në procesin e transformimit të Ushtrisë së Kosovës.
Së fundmi, kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti, ishte shprehur për një prezencë më të rritur të ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë.
Mandati aktual i ushtarëve gjermanë të KFOR-it, vazhdimi i të cilit u miratua në korrik nga Parlamenti Gjerman, parashikon dërgimin e deri më 400 ushtarëve, në rast nevoje. Aktualisht aty janë të stacionuar rreth 70 ushtarë gjermanë. / DW