Pavarësisht se nuk ka pasur gatishmëri nga të gjitha shtetet anëtare të bllokut për të ndalur dhënien e vizave për qytetarët e Rusisë, ky proces për ta pritet të bëhet më i vështirë.
Kjo pasi Komisioni Evropian më 6 shtator propozoi pezullimin e plotë të marrëveshjes për lehtësimin e vizave mes Bashkimit Evropian dhe Federatës Ruse.
“Shtetet si Rusia, që bëjnë agresion dhe luftë, nuk do të duhej të kualifikoheshin për lehtësim të vizave përderisa vazhdon të zbatojë politikë destruktive të jashtme dhe agresion ushtarak ndaj Ukrainës, duke demonstruar mospërfillje të rendit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Në njoftimin e KE-së thuhet se “BE-ja do të mbetet e hapur për disa kategori të qytetarëve të Rusisë që udhëtojnë për nevoja esenciale, përfshirë ata që kanë anëtarë të familjes në BE, gazetarët, disidentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile”.
“Propozimi i sotëm është përgjigje e fuqishme dhe e përbashkët e BE-së. Së shpejti do të dalim me udhëzime se si të forcojmë masat e kontrollit për kërkesat për viza nga qytetarët e Rusisë dhe po ashtu edhe kontrollin e vendkalimeve kufitare, pa e shkëputur veten nga disidentët në Rusi dhe shoqëria civile”, tha Johansson.
Nga disa shtete të BE-së, sidomos nga Polonia dhe vendet Baltike, ka pasur propozim që blloku evropian të ndalojë tërësisht lëshimin e vizave për qytetarët e Rusisë.
Por, një masë e tillë nuk ka marrë mbështetjen e disa vendeve, që i kanë cilësuar si “kundërproduktive” dhe që do të mund të forconte regjimin e presidentit Vladimir Putin në Rusi, nëse të gjithë qytetarëve rusë do t’u ndalohej hyrja në BE.