Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, në një dalje për mediat ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë pasdite të 14 prillit në kryeqytet, ku pallati 12-katësh “Arlis” u shkrumbua totalisht nga flakët.
“Deri më tani jemi të lumtur se nuk kemi asnjë viktimë. Kemi të dëmtuar me djegie dhe me dëmtime të karakterit jo të rëndë, ndërkohë që janë nxjerrë disa banorë, të pamundur nga pikëpamja shëndetësore por dhe në gjendje gjumi. Para 10 minutash u evakuua një person që ishte në gjumë, i vjetër, falë një veprimi prej heroizmi nga zjarrfikësit tanë. Nuk kemi ndonjë njoftim se mund të kemi një person, megjithëse kemi bërë kërkime, vazhdojmë të bëjmë kërkime brenda. Për të qetësuar gjithë opinionin publik, këto vatra që shikoni ju janë vatra të vdekura që i quajnë zjarrfikësit. Rindizen por nuk kanë fuqi të bëjnë dëme. Siç e shikoni këtu do rrijmë deri në fund fare kur të jemi të sigurt që nuk ka më zjarr. Nuk ka asnjë raportim, kjo na ngroh, mendojmë se do kishim sinjale për persona brenda”, u shpreh ai.









