Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur se institucionet e shtetit të Kosovës ditëve të fundit janë përballur me sulme kibernetike.
Sipas tij, sulmet dyshohet të kenë ardhur nga jashtë vendit, por për momentin gjendja është e qëndrueshme – shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale.
Në një postim në Facebook, Kryeziu ka thënë se sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.
“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik.
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, përkatësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit.