Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka pezulluar aktivitetin e shoqërisë së fluturimeve “Air Albania”, pasi kjo e fundit nuk ka deklaruar pronarët përfitues.
Statusi i kompanisë është deklaruar i pezulluar që nga data 1 shtator.
Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, parashikon që të gjitha subjektet raportuese të regjistruara në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.
Afati fillestar ishte data 30.6.2021, por që më pas u shty deri në 30 qershor të këtij viti për shkak të problemeve që u hasën me zbatimin e tij.
Sipas ligjit, mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë;
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, në fund të vitit 2021, “Air Albania” zinte rreth 12% të tregut të fluturimeve sipas numrit të pasagjerëve, duke u renditur e dyta, pas Wizz Air, me 42%.
Air Albania ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e vitit 2018, kur nuk kishte akoma aktivitet, ndërsa nuk është në QKB as bilanci i 2019-s dhe 2020-s, afati i të cilëve ka përfunduar me kohë. Bilanci i vitit 2021 ka kohë të dorëzohet deri në 15 shtator./Monitor