Lajm i befasishëm nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), e cila pezulloi aktivitetin e shoqërisë së fluturimeve “Air Albania”, pasi kjo e fundit nuk deklaroi pronarët përfitues.
Shoqëria e fluturimeve ka qenë në qendër të mediave dhe në shënjestër të opozitës thuajse në cdo moment.
Opozita prej vitesh ka denoncuar se pas kësaj shoqërie qëndron biznesmeni Sinan Idrizi, administrator i ekipit të futbollit të Flamurtarit të Vlorës.
Legjenda e futbollit shqiptar nga majat e elitës së futbollit u zhyt në kategoritë inferiore. Por këtë fat duket se ka edhe Air Albania.
Po ku është roli i Sinan Idrizit?
Tre ortakët e “Air Albania”, “Albcontrol” me 10%, që përfaqëson palën shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment”, përkatësisht me 49 dhe 41%. Ortaku i vetëm i kompanisë “MDN Investment” fillimisht ishte Sinan Idrizi.
Më pas ai vendosi që t’i kalojë aksionet te familja. MDN Investiment shpk u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 3.05.2018 me qendër në Vlorë dhe me objekt të aktivitetit: Projektimi, financimi, ndërtimi, kryerja, funksionimi si dhe menaxhimi i Aeroportit Ndërkombëtar.
Partia Demokratike e ka denoncuar si aferë përfshirjen e Sinan Idrizit në këtë skemë. “Nuk ka asnjë dyshim se edhe tek Air Albania Idrizi është vetëm një koperturë për Edi Ramën. Aksionet në emër të Sinan Idrizit tek Air Albania janë të Edi Ramës.
Skema e mashtrimit me Sinan Idrizin duhet hetuar menjëherë nga SPAK. Nga lidhjet mes Edi Ramës dhe ortakut të Air Albania, drejtësia do të gjejë sesi në karrigen e kryeministrit qendron një hajdut, i cili ka vetëm një prioritet.
Të pasurohet sa më shumë dhe në çdo formë” deklaronte Eno Bozdo disa vite më parë. Por SPAK nuk e dëgjoi.