Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh se policia nuk mund të flasë pa pasur prova në duar për Ervis Martinajn, por tregoi se hetimet janë shtrirë në disa pista, ajo e vrasjes dhe ajo e zhdukjes së vullnetshme.
“Policia po heton të gjitha pistat dhe do të flasë kur të ketë prova sepse nuk mund të flasë në bazë të thashethemeve. Pistat janë pista e vrasjes, pista e zhdukjes në mënyrë të vullnetshme.
Ai është gjithmonë në kërkim nga drejtësia, sepse ka pasur edhe më herët statusin e të shumëkërkuarit. Konkluzioni do të jetë i bazuar në prova, jo në thashetheme” tha Çuçi.
Ai shtoi më tej se ishte policia ajo që zbuloi se një efektiv e shoqëroi Ervis Martinaj dhe meritën ia atribuoi Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për të cilën tha se po jep frytet e veta.
“Është policia që ka identifikuar policin që e shoqëroi. Reforma që bëmë ne në AMP po jep frytet e veta.
Kemi krijuar strukturë të re inteligjente e kemi shkëputur nga policia dhe ka pasur rezultat mbresëlënëse në një vit. Arrestime këtë 8 mujor 183 arrestime vetëm policë, ndërsa në 2019 ka pasur vetëm 40.
Janë të rëndësishme faktet. Kjo është një betejë e përjetshme që bëhet brenda çdo organizate midis të mirës dhe të keqes. Nuk është e thënë që vesh uniformën e policisë ti je virgjëreshë. Ka element të korruptuar dhe bashkëpunojmë me krimin”- tha Çuçi te Top Story.
“Jetoni është ai rast që është kapur nga policia, ne e kishim në vëzhgim, është një betejë e përgjithshme. Ne morëm informacionin që ai ka shoqëruar atë dhe e vëzhguam e ndoqëm, morëm kamerat e hotelit ku ishte dhe zbuluam që ishin bashkë, e zbuloi policia bashkë me agjencinë.
Prandaj e kemi shkëputur totalisht nga policia që mos të ketë konflikt interesi (agjencinë). Rezultatet janë mbresëlënëse që vitin e parë. 133 vetë brenda këtij viti kanë shkuar në polici, oficerë policie”, tha ministri.