Pavarësisht prej kohës kur bëhet, pavarësisht në çfarë kontekstesh politike, ideologjike, shoqërore, kulturore, fetare, shtetërore bëhet, pavarësisht prej nivelit a statusit shoqëror të atyre që e bëjnë, censura është institucion famëkeq, prandaj edhe komprometues për ata që e bëjnë, për politikën, ideologjinë, kulturën, shtetin që e bëjnë!
Sipas bindjes sime, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u është dashur aspak, bash aspak, nisma për ndalimin e një numri të filmave, kurse të shfaqjes me shpjegime të veçanta i një numri tjetër të filmave të krijuar në kohën e komunizmit.
Nisma për ndalimin, në të vërtetë për censurimin e tillë të filmave është një nismë, që mbështetet në zhvlerësime kryekëput politike e ideologjike të filmave të asaj kohe. Për ta thuhet se janë “zgjatime të natyrshme të ideologjisë komuniste”, që përbëjnë “një provokim të rëndë për një pjesë të popullit tonë dhe, në përgjithësi, për higjienën mendore e shpirtërore të çdo qytetari normal”! Normal!!!
Kjo nismë për ndalimin, në të vërtetë për censurimin e tillë të filmave, siç e ka vërejtur Moikom Zeqo këtu në DITA, megjithatë, godet dhe letërsinë, krijimtarinë artistike dhe krijimtarinë shkencore në gjuhën shqipe në përgjithësi në Shqipëri dhe në Kosovë. Filmi është art, art i popullarizuar, por arte janë edhe letërsia, edhe muzika, edhe piktura po aq të popullarizuara.
Ajo që nismëtarët e censurës së filmave e thonë për filmat, prandaj, mund të thuhet edhe për artet e tjera, sidomos, për letërsinë dhe muzikën, rrjedhimisht do të mund të dilte, prandaj, edhe kërkesa për ndalimin e tyre, sikundër për filmat.
Ajo që ata nismëtarë e thanë për filmat, që s’e kanë thënë, por do të mund ta thoshin edhe për letërsinë e muzikën, mund të thuhet edhe për shumë vepra nga fusha e shkencave shoqërore të krijuara në kohën e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë.
Përkrahje të veçantë nismës për ndalimin e disa filmave dhe censurimin e veçantë të disa të tjerëve, i dhanë edhe disa krijues të njohur, e mes tyre edhe të tillë, veprat e të cilëve janë skenarizuar dhe filmuar asokohe. Njëri ndër ta, përpos të tjerash, tha:
“Në filmat tonë nuk kishte humanizëm, nuk kishte histori dashurie, por kishte egërsi (…)!” Ç’është e vërteta në ata filma kishte edhe humanizëm edhe histori dashurie.
“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme, tha më tej ai, që spektatori shqiptar t’i shohë ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit…!”
Të gjitha ato që thanë për filmat e kohës së komunizmit ata që e dhanë nismën për ndalimin e censurimin e tyre, dhe të gjitha ato që thanë për filmat ata që e përkrahën nismën për ndalimin dhe censurimin e tyre, dhe të gjitha ato që tha ai dy fjali të të cilit u cituan më lart mund të thuhen edhe për një varg vjershash, poemash, tregimesh, romanesh, dramash, sprovash, letrare dhe trajtesash, studimesh, monografish shkencore të shkruara shqip në atë kohë.
Ç’është romani Dimri i madh? Padyshim “zgjatim i natyrshëm i komunizmit”, në të vërtetë “zgjatim i natyrshëm i stalinizmit”! Ç’është romani Dasma? Padyshim zgjatim i natyrshëm i maoizmit, domethënë i politikës dhe ideologjisë së revolucionit kulturor kinez!
Ç’janë edhe disa romane të tjera, disa tregime, disa vjersha e poema dhe disa sprova e artikuj publicistikë të këtij autori e të disa autorëve të tjerë? Zgjatime të politikës dhe të ideologjisë staliniste, zgjatime me të cilat glorifikohet lufta e klasave, roli i proletariatit në botë, socializmi stalinist dhe mohohen rendet politiko-shoqërore, ekonomike dhe kulturore borgjeze, domethënë perëndimore, duke përfshirë këtu edhe letërsinë moderne dhe në përgjithësi artet moderne!
Ndalimi dhe censura e filmave të krijuar në kohën e komunizmit, që predikojnë autorët e nismës, objektivisht cenon rëndë kështu edhe një pjesë të krijimtarisë të një vargu krijuesish të tjerë letrarë, artistikë e shkencorë.
E kjo do të thotë ndryshim i historisë, shfytyrim i saj dhe i së vërtetës. A mund të fshihen historia dhe e vërteta? Unë them: jo dhe jo.
Jam kundër çdo ndalimi të veprave artistike e shkencore. Jam kundër çdo censure ndaj veprave artistike dhe shkencore. Çdo periudhë, çdo epokë, çdo kohë historike ka artet e veta dhe shkencat e veta, me të arriturat, me vlerat dhe me të metat e tyre. E ato të meta mund të jenë artistike kur është fjala për artet dhe shkencore kur është fjala për shkencat. Por ato të meta mund të jenë të shkaktuara prej dhuntisë së paktë të krijuesit, prej kufizimeve politike, ideologjike, partiake, fetare, e kufizimeve të tjera dhe kjo domethënë prej përkatësive të ndryshme të krijuesve të tyre.
Ato, të gjitha, me të mirat dhe të metat e tyre, me vlerat dhe kufizimet e tyre janë dëshmi artistike dhe shkencore dhe kulturore dhe dokumentare e asaj periudhe, asaj epoke, asaj kohe. T’i ndalosh, t’i censurosh domethënë të ndalosh, të censurosh, të paragjykosh, të thjeshtësosh, të varfërosh të kaluarën tënde, traditën tënde, kulturën tënde!
Pas përimtimeve të përgjithshme shkencore, kulturore, qytetëruese të përvojave të veta të hidhura të shekujve të shkuar para dhe pas Inkuizicionit, Evropa dhe Amerika kanë hequr dorë prej mohimit e ndëshkimit të heretikëve dhe të heretizmit. Para pak ditësh lexova se vepra e Hitlerit Lufta ime, që përfaqëson Manifestin e politikës dhe ideologjisë së tij naziste, raciste, antisemite, që ka prodhuar tragjedinë e madhe të quajtur Lufta e Dytë Botërore, është botuar e ribotuar katër herë gjatë vitit 2016 në Gjermani. Në qoftë se nuk gabohem ajo u botua edhe në Shqipëri. E ne, e një numër i intelektualëve tanë, një numër i shkrimtarëve tanë, ç’bëjnë e ç’kërkojnë?
Nuk kërkojnë të ndalohet vepra e Hitlerit, po kërkojnë të ndalohen e të censurohen filmat tonë sepse na qenkan zgjatime të komunizmit, sepse në ndonjërin prej tyre paska fëmijë që spiunojnë në “favor të regjimit”, se, po të spiunonin në favor të armiqve të regjimit, nuk do të duhej të ndaloheshin!
Paragjykimet e ndryshme, leverditë e ndryshme, mosdurimet e ndryshme na bëjnë sot të harrojmë se në atë kohë kur janë krijuar filmat që disa censorë kërkojnë të ndalohen e të censurohen janë krijuar edhe filma me vlerë artistike edhe filma të dobët, janë krijuar vepra letrare me vlerë artistike dhe me vlera modeste, a pa farë vlere, janë krijuar vepra shkencore me rëndësi të madhe shkencore dhe pa vlera shkencore.
Në atë kohë, në kushte të diktaturës, disa nga krijuesit e kanë pasur shumë vështirë, kanë vuajtur dhe janë rrezikuar. Por, kanë krijuar dhe ne duhet të kemi nderim për ta e për krijimtarinë e tyre.
Hiqni veprat e këtyre studiuesve dhe të këtyre artistëve, hiqni veprimtarinë e tyre arsimore, kulturore, kombëtare dhe shihni çka do të mbetet!
Kur të përgjigjemi drejt, ndershëm, pa paragjykime, pa koniunkturizëm kombëtar e ndërkombëtar në këto pyetje, ne do të heqim dorë prej famëkeqes së quajtur censurë, prandaj edhe prej ndërmarrjeve që varfërojnë kulturën tonë, trashëgiminë tonë dhe dëshmitë artistike e shkencore të identitetit dhe të qenies sonë.
Dhe do të sillemi siç sillen popujt me tradita të mëdha kulturore ndaj arteve e shkencave të tyre: siç sillen gjermanët që s’mendojnë të ndalojnë a të censurojnë dokumentarët e Leni Rifenshtalit, apo ish sovjetikët që nuk ndalojnë a censurojnë filmat e Sergej Ajzenshtajnit, Dziga Vertovit, Vselovod Pudovkinit e romanet e Shollohovit, të Pasternakut, të Leonovit, të Fadejevit e të tjerëve.
Ne s’guxojmë të harrojmë se aty ku kërkohet dhe zbatohet censura, aty shpesh kërkohet dhe zbatohet dhuna. Jo rastësisht në pjesën më të madhe të deklaratave politike të kryetarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë sot shprehet dhunë – dhunë politike dhe dhunë e përgjithshme! Dhunë që ushqehet edhe nga këto e veprime të ngjashme si këto.
Jo rastësisht një numër mediesh në Shqipëri dhe në Kosovë, si mjete të blera, të shantazhuara a të frikësuara prej partive, ushtrojnë dhunë jo vetëm politike! Jo rastësisht edhe disa individë – gazetarë e gazetare e të tjerë predikojnë dhunë.
Publicisti që kërkoi të ushtrohet dhunë, të bëhet atentat ndaj ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vllahutin, në të vërtetë ishte zbatues i fyerjeve dhe dhunës retorike që ndaj kësaj diplomateje dhe jo vetëm ndaj saj më parë në të vërtetë ishte bërë në çadër prej kryetarëve të PD-së?
E ç’bëjmë ne? Ç’bëjnë intelektualët tanë? Ç’bëjnë krijuesit tanë? Ç’bëjnë intelektualët që dikur quheshin koka e popullit? Herët më të shpeshta ose heshtin ose bëjnë çka u bë në letrën me të cilën u mbrojt ambasadorja Romana Vllahutin, u mbrojt prej sulmit të individit, publicist, që vetëm mund të flasë e nuk mund të bëjë asgjë sepse nuk ka fare pushteti, por nuk u mbrojt prej sulmeve të atyre që e sulmuan, e fyen të parët, nuk u mbrojt prej sulmeve të atyre që ishin faktorë kryesorë që nxitën atentat ndaj saj, nuk u mbrojt prej kryedhunëtarëve politikë në jetën politike e shoqërore sot në Shqipëri, me ndikim edhe në Kosovë! Të këtilla ishin dhe vazhdojnë të jenë mbrojtjet e një numri të intelektualëve tanë: mbrojtje të servilëve që puthin duar të pushtetarëve e damkosin e denoncojnë shërbyesit e tyre politikë!/ DITA