Rusët po votojnë në zgjedhjet rajonale dhe lokale në një sere qendrash në të gjithë vendin, duke zgjedhur guvernatorët ose ligjvënësit në të parin votim që po mbahet që nga pushtimi i Ukrainës gati shtatë muaj më parë.
Votimi i 11 shtatorit nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha politike në nivel kombëtar apo lokal dhe lufta në Ukrainë u shfaq vetëm në raste të izoluara në fushatat parazgjedhore. Përkundrazi, çështjet vendore si investimet në tranzitin urban ose shqetësimet mjedisore, ose stoku i varfër i banesave, kryesuan listën e çështjeve të fushatës në shumë vende që mbajnë vota.
Në total, 15 rajone — të shpërndara nga enklava Kaliningrad në detin Baltik deri në Buryatia, në Siberinë jugore — do të zgjedhin guvernatorët e rinj ose drejtuesit kryesorë për rajonet e tyre. Votuesit në gjashtë rajone po zgjedhin gjithashtu anëtarë të rinj të legjislaturave lokale.
Në Moskë, votuesit u lejuan të votonin qysh më 9 shtator për të zgjedhur anëtarët e 125 këshillave të rretheve: këshillat legjislativë vendorë që vendosin kryesisht për çështje shumë lokale, si pajisjet e reja të këndeve të lojërave, heqja e plehrave ose probleme të tjera të cilësisë së jetës.
Njerëzit e intervistuar në rrugët e Moskës këtë javë nga shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë kishin ndjenja të përziera nëse do të votonin dhe nëse kjo i shërbente ndonjë qëllimi.