Një takim ndërmjet Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe kryeministrit, Albin Kurti, të martën nuk i dha fund grevës në sektorin publik që ka nisur me 25 gusht.
Mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punonjësit në administratën publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, janë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat.
Qeveria e Kosovës para disa ditësh ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik do të përfitojnë nga 50 euro shtesë prej muajit shtator.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jashaj, tha pas takimit se ai ishte përmbajtjesor por nuk solli ndryshime.
“Temë e nxehtë ishte edhe pakoja të cilën ata e kanë dhënë pa diskutim me neve, por ne insistuam që kjo shuma e përmendur e cila nuk është pranuar nga asnjë grevist në Kosovë të lëvizë, ne ishim të gatshëm të bëjmë edhe këtu një kompromis të vogël për hir të situatës, por qeveria mbeti te shuma e paralajmëruar me pakon”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këmbëngulja për shumën prej 100 eurosh paraqet moskokëçarje për shëndetin financiar të Kosovës, ndërsa theksoi veprimet e qeverisë për të ndihmuar qytetarët për t’u përballur me krizën ekonomike.