Atentati i ndodhur gjatë paradites së sotme ndaj Akil Nerjakut në Durrës është kryelajmi i mediave sot. Në drejtim të Akil Nerjakut u qëllua në zonën e Plazhit në Durrës teksa ai ishte duke lëvizur me një makinë tip “Mercedes Benz-GL”.
40-vjeçari ishte pasagjer në makinën ngjyrë të zezë, ndërsa në timon ishte djali i vëllait të ministrit Lefter Koka, 26-vjeçari Haki Koka.
Nuk ka të dhëna që makina tip “Mercedes Benz-GL” të jetë e blinduar.
Mësohet se autorët lëviznin me një automjet tip furgon ngjyrë të bardhë. Dyshohet se autorët e kanë ndjekur objektivin e tyre.
Sapo ai ka zbritur nga makina, kanë qëlluar një herë me snajper, por plumbi nuk e ka kapur dhe ka qëlluar një makinë të parkuar me targa të huaja.
Sapo kanë bërë atentatin, autorët me furgonin e bardhë janë larguar në drejtim të Plepave ku edhe kanë humbur gjurmët.
Burime për ABC bëjnë të ditur se furgoni i dyshuar nga verifikimet paraprake rezulton të jetë me targa të vjedhura nga një automjet tjetër disa muaj më parë.
Policia mësohet se ka nisur këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati ditën e djeshme.
Zona në fjalë është e mbushur me kamera sigurie dhe pritet të dalin detaje të tjera rreth ngjarjes./ Abcnews.al