Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një takim me strukturat e partisë së tij është shprehur se kryeministri i Shqipërisë duhet të dorëzojë të gjitha pushtetet.
Meta u shpreh se Rilindja është partia që po i rrëzon të gjitha, duke bërë Tiranën një qytet të betonizuar, ndotur ku papunësia arrin kulmin.
“Rama duhet të dorëzojë të gjitha pushtetet.
Ju e patë se çfarë bën Rilindja. Vetëm për shkak të Rilindjes, e gjithë Tirana është kthyer sot në beton. Tiranë është rikthyer në vend droge.
Ky është si Escobari. Ne jemi shumë larg Kolumbisë, ka ardhur koha që edhe ne ta përzëmë njëherë e mirë këtë Escobarin.
Tirana vuan nga një trafik i tmerrshëm, që dëmton mjedisin.
Aq gjoba sa vendos policia është e tmerrshme. Tirana është ndër qytetet më tët ndotura në Botë. Qytetarët e Tiranës, paguajnë taksat më të larta në Evropë.
Miliona euro shkojnë te inceneratori që nuk ekziston. Ky është një plan që ti detyrojnë pedagogët që të iki, rrisin taksat stresin, kostot e jetesës për ti detyruar të ikin”, tha Meta.
Ndër të tjera Meta shtoi se edhe pak muaj kanë mbetur për t’i dhënë fund marrëzisë së Lulushit që i fali gjithë bashkitë dhe këshillat e Shqipërisë Edi Ramës.
Ai deklaroi se u përdor kjo aferë për të krijuar modelin rus të qeverisë dhe kapjes së shtetit siç është sot, modeli i Edi Ramës.
“Edhe pak muaj për t’i dhënë fund marrëzisë së Lulushit që i fali gjithë bashkitë dhe këshillat e Shqipërisë Edi Ramës.
Problemi është se u përdor kjo aferë për të krijuar modelin rus të qeverisë dhe kapjes së shtetit siç është sot, modeli i Edi Ramës.
U përdor një aferë për të provokuar opozitën për t’ia lënë parlamentin dhe institucionet e pavarura Edi Ramës.
Ishte pikërisht kjo aferë që ia fali të gjitha bashkitë dhe këshillat bashkiakë Edi Ramës që të bëjë si i do qejfi në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë.
E pra, kjo kohë përfundoi, ndaj Edi Ramës i është futur frika në palcë”, deklaroi Meta.