Gjermania është e gatshme të marrë rol udhëheqës në garantimin e sigurisë së Evropës, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, ka thënë se Gjermania është e gatshme të marrë rol udhëheqës në garantimin e sigurisë së Evropës.
Ai është zotuar për ta bërë ushtrinë e shtetit “më të pajisurën” në kontinent.
Duke e konsideruar Rusinë si “kërcënimin më të madh” të NATO-s, Scholz ka thënë se Evropa duhet të jetë e përgatitur për përballje.
“Ne po e bëjmë shumë të qartë: Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit tonë”, ka thënë ai në një kongres për armët.
“Si shteti më i populluar, me ekonominë më të madhe, dhe si shtet që gjendet në mes të kontinentit, ushtria jonë duhet të jetë gurëthemel i mbrojtjes tonë konvencionale në Evropë, duhet të jetë forca më e pajisur në Evropë”.
Scholz ka thënë se ushtria gjermane për shumë kohë është angazhuar në “sigurim të ndihmës humanitare, në ofrim të ndihmës pas vërshimeve, dhe në përpjekjet për vaksinim kundër pandemisë”.
“Mirëpo ai nuk është misioni kryesor. Qëllimi kryesor është mbrojtja e lirisë në Evropë”.