Në një takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë të enjten që kishte në qendër përpjekjet kundër ndasive dhe dhunës së nxitur nga urrejtja, presidenti Joe Biden kritikoi supremacistët e bardhë dhe i kërkoi kombit të kapërcejë mosmarrëveshjet “toksike” politike.
Presidenti Joe Biden iu referua tubimit të supremacistëve të bardhë në vitin 2017 në Charlottesville, Virxhinia gjatë të cilit u vra një kundërprotestuese, kur foli të enjten në takimin e nivelit të lartë “Qëndrojmë të Bashkuar”.
“Supremacistët e bardhë nuk do të thonë fjalën e fundit dhe ky helm dhe dhunë nuk mund të jenë historia e kohës sonë”, tha presidenti.
Shtëpia e Bardhë tha se takimi nderon komunitetet që kanë përjetuar sulme me bazë urrejtjen, duke përfshirë të shtënat masive që ndodhën në një tempull të Sikhëve në Uiskonsin në vitin 2012; një klub nate homoseksualësh në Florida në vitin 2016; një sallon aziatik në Xhorxhia në vitin 2021; një supermarket në Teksas në vitin 2019, që vuri në shënjestër hispanikët; dhe një supermarket në Nju Jork në fillim të këtij viti, që kishte në shënjestër njerëzit me ngjyrë.
Të dhënat e FBI-së tregojnë se krimet e urrejtjes janë rritur vitet e fundit./VOA