Ukraina ka rikthyer mbi 6.000 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse, ka thënë presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky. Shifrat e tij nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, por Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pranuar se ka tërhequr forcat e saj nga disa qytete në rajonin verilindor të Harkivit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vizituar të martën e 14 shtatorit qytetin e rikthyer të Iziumit – një qendër strategjike hekurudhore.
“Është e mundur t’i pushtosh territoret e vendit tonë, por sigurisht që është e pamundur të pushtosh popullin tonë, popullin e Ukrainës”, ka thënë Zelensky.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka thënë se forcat ruse janë tërhequr nga disa qytete për t’u rigrupuar.
“Për t’i arritur qëllimet e operacionit të posaçëm ushtarak, për çlirimin e Donbasit, është marrë vendim për rigrupimin e trupave ruse, të stacionuara në rajonet Balaklia dhe Izium”, ka thënë Konashenkov.
Balaklia, qytet me 25.000 banorë, ka rënë nën kontrollin e forcave ruse qysh në muajin mars. Vendasit nuk kanë mundur të fshehin gëzimin kur kanë parë hyrjen e ushtrisë ukrainase në qytet./REL