Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka theksuar rëndësinë e kthimit të liderëve të partisë nga Haga për stabilizimin e situatës politike në vend.
Sipas tij, ky kthim është i nevojshëm për përmirësimin e qeverisjes dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e krizave që po kalon Kosova. Ai gjithashtu ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-liderëve të UÇK-së, duke theksuar nevojën për të respektuar afatet ligjore.
“Kosova ka nevojë për kthimin e liderëve të PDK-së, për vizionin dhe trashëgiminë e tyre. Ky kthim do të ndihmojë në stabilizimin e skenës politike, e cila është aktualisht në një gjendje të trazuar dhe pa qeverisje efektive,” deklaroi Behrami.
Duke folur për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Behrami ka shprehur pritshmërinë që vendimi të merret brenda afatit të përcaktuar, deri më 18 maj.
“Çdo kërkesë për shtyrje të afatit do të rrisë pasigurinë dhe mosbesimin e shoqërisë ndaj Gjykatës Speciale,” tha Behrami.









