Jo rrallë herë ndodh që parandenjat e prindërve paralajmërojnë diçka të keqe. Kështu ndodhi edhe me të atin e viktimës që u shënua mbrëmjen e sotme në Shkodër.
Një zë i brendshëm dëshironte ta kthente të birin mbrapsht. “Ku je, hajde në shtëpi se po errësohet”,ishin fjalët e fundit të babit të Xhenjës vetëm 2 orë para se të ndodhte vrasja.
I ati i viktimës, po shkonte në drejtim të Malit të Zi për t’u furnizuar me karburant, por diçka e ka penguar dhe është kthyer në banesë.
Më pas mori vesh lajmin e rëndë ku i biri kishte mbetur i vdekur pas 30 plumbash. Pyetur nga policia i ati është shprehur se i biri nuk kishte konflikte, por vuante pasojat e kurshërinjëve e tij.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në lagjen “Kiras”, ku Xhenje ndodhej në brendësi të një lokali.
Disa persona të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të lokalit, duke e lënë të vdekur në vend të riun.
Forca të shumta të policisë ndodhen në vendin e ngjarjes, ku po bëhet e mundur gjetja e provave të mundshme.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.
Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.