Shkodra mbrëmë u trondit nga një tjetër ngjarje kriminale. Viktima ishte Erjon Xhenje 19-vjeç.
Kur kanë kaluar më shumë se 12 orë nga vrasja ende nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen e rëndë.
Policia gjeti vetëm motorin e autorëve dhe armë. Killerat u zhdukën.
Dyshimet janë se personat që morën pjesë në atentat ishin tre. Ekzekutori, drejtuesi i motorit që e largoi nga vendi i ngjarjes dhe një tjetër që ka shërbyer në rolin e spiunit.
Ende ku ishte personi i tretë, që i sinjalizoi vrasësit se shënjestra ishte ulur në lokal duke pirë kafe.
Policia po e gjurmon përmes tabulateve telefonike dhe kamerave të sigurisë në zonë.
“Ku je, hajde në shtëpi se po errësohet”. Ishte kjo biseda e fundit e Erjon Xhenjes, viktimës së atentatit në Shkodër dhe babait të tij, rreth dy orë para se të ndodhte vrasja.
I ati i viktimës, po shkonte në drejtim të Malit të Zi për t’u furnizuar me karburant, por diçka e ka penguar dhe është kthyer në banesë. Pak minuta më pas mori lajmin e zi.
Pistat? Ende në tryezën e grupit hetimor nuk ka një gjë konkrete. Viktima është djali i xhaxhait të Sehar Xhenjën, një person me precedent kriminal në Shkodër.
Sehar Xhenje është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021.
Në media raportohet se 19 vjeçari i vrarë dyshohet se mund të jetë viktima e radhës mes rivalitetit prej vitesh mes fiseve Bajri – Lici.
I riu shërbente në fermën e kuajve të Asmer Bilalit. Mediat raportojnë se motori i përdorur në vrasjen e Erjon Xhenjës, u gjet i djegur në afërsi të banesës së familjes Lici. A është lënë me qëllim aty për të çuar një mesazh?