Disa email-e të rëndësishme të drejtori të policisë dhe dokumente të klasifikuar si sekretë janë publikuar nga hakerat iranian. Media kanë pasqyruar disa nga këto dokumente, por së fundmi policia ka urdhëruar ndalimin e publikimit të tyre.
“Me vendimin e datës 19.09.2022, Prokuroria ka vendosur ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, vendim ky në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale “Ndalimi i publikimit të aktit”.
Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit.
Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi.
Në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal Nr.5430/2022, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës,” ka njoftuar policia.