Çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe shihet si një “bllokadë” ose pengesë ndërmjet Kosovës, Serbisë e BE-së.
Megjithatë, njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se së fundmi janë shtuar presionet ndaj Qeverisë së Kosovës për formimin e këtij asociacioni.
Tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është bërë një mur ndarës ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend të cilët këtë temë e vlerësojnë si me të ndjeshme në dialog.
Analisti Artan Muhaxheri ka thënë për Radio Kosovën se për çështjen e Asociacionit janë shtuar presionet ndaj palës kosovare, sidomos kohët e fundit.
“Asociacioni është bërë një mur ndarës ndërmjet Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Serbisë.
Për fat të keq edhe Qeveria e Kosovës, nuk ka ndonjë ide alternative se si t’i qaset Asociacionit, që është edhe kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare.
Ndërsa, nuk besoj se pa adresimin e qartë të temës se dialogut mund të ketë avancim te mirëfilltë në dialog”, ka thënë ai.
Edhe analisti tjetër, Bekim Baliqi, mendon që kohët e fundit është shtuar presioni ndaj Qeverisë se Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, sipas tij, presionet janë shtuar edhe për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Po shihet një presion i shtuar, jo vetëm nga vizitat e shpejta të përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe përkushtimi i Gjermanisë dhe Francës. Unë besoj që ka një presion të shtuar, jo vetëm për themelimin e Asociacionit, por edhe drejt një marrëveshjeje të përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Baliqi.