Pak ditë më parë Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të çmimeve për produktet e shportës shtrenjtoi rreth 3,5% çmimin e sheqerit krahasuar me muajin qershor.
Për muajin shtator sipas vendimit të fundit të bordit çmimi i shitjes së sheqerit është 118 lekë nga 114 lekë për kg që tregtohej më parë.
Në fillim të muajit qershor, konkretisht më 10 qershor, Bordi i Transparencës kishte marrë vendim për uljen e çmimit të sheqerit me 16% nga 121 lekë në 104 lekë për kg.
Për shkak të rënies së çmimit, disa dyqane të pakicës dhe supermarkete për disa javë të muajit qershor nuk mundën të tregtonin sheqerin, për shkak të mosfurnizimit nga pikat e tregtimit me shumicë.
Grosistët nuk arrijnë të parashikojnë se çfarë do të ndodhë në muajt në vijim me çmimin e sheqerit në tregjet e huaja.
Por sipas tyre të paktën për 2-3 muaj çmimi do të jetë i stabilizuar në këto nivele për shkak të kohëzgjatjes së furnizimeve.
Produkti tjetër ushqimor çmimi i të cili monitorohet nga bordi është edhe për miellin masiv.
Në vendimin e muajit shtator çmimi i miellit u ul në 83 lekë nga 90 lekë për kg që ishte përcaktuar më 10 qershor.
Stabilizohet çmimi i vajit
Prej disa muajsh sakaq stabilizim ka shënuar edhe çmimi i vajit të lulediellit.
Pas rritjeve të njëpasnjëshme të çmimit, për muajin korrik vajit i lulediellit arriti 280 deri 290 lekë për litër nga 370 deri 380 lekë për litër që shitej më parë.
Tendenca rënëse e çmimit nisi që në mesin e muajit qershor, ku çmimi i shitjes së vajit nga 381 lekë arriti në 370-375 lekë/litër (rënia 1,6 -3 %).
Ndërkohë çmimet e shitjes së vajit vijojnë të jenë në nivelet e 280 deri 290 lekë për litër.
Importuesit pohojnë për Monitor se stabilizimi i çmimit është ndikuar nga importet e vajit në Ukrainë.
Grosistët thonë se nëse kostot e transportit nuk do të ishin të larta, vaji në Shqipëri do të vinte me çmim më të lirë.
Çmimet e larta të vajit të lulediellit dhe krijimi i rezervave familjare për shkak të panikut ndikoi te rënia e konsumit të këtij produkti.MONITOR