Pas rreth dy orësh Fatmir Mediu ka dalë nga SPAK. Ai nuk pranoi që të jepte detaje nga dëshmia për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Kreu i PR-së u shpreh se ishte në cilësinë e deklaruesit dhe jo personit nën hetim.
“U ftova për të dhënë një dëshmi si person që kam dijeni për një çështje që është në interes të SPAK-ut. Kaq mund të them. Duhet të ruaj konfidencën e dëshmisë. Isha si deklarues” tha ai.
I pyetur nëse ka shpërdoruar detyrën në kohën që ishte ministër për dosjen që u thirr, ai tha “Çfarë lidhje ka shpërdorimi i detyrës në lidhje për atë që u ftova unë”.
Privatizimi i kompleksit “Partizani” është një dosje që e ka në dorë Prokuroria e Posaçme. Ka qenë kreu i grupit Parlamentar në PS, Taulant Balla i cili ka paditur në vitin 2020, ish-kryeministrin Sali Berisha.
Gjithashtu paditi ish-ministrin të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare.