Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) në Luksemburg është shprehur se kompanitë e internetit nuk duhet të ruajnë të dhënat e klientëve.
Kush mban informacione kaq të ndjeshme për qytetarët mund të krijojë ide për zakonet dhe personalitetin e secilit dhe të mësojë shumë për jetën private. Ky cenim i privatësisë nuk është në përputhje me ligjin evropian, thuhet në një vendim të GJED-së.
Sipas vendimit del në pah se ligji gjerman i komunikacionit cenon privatësinë e qytetarëve. Sipas ligjit, operatorët e internetit dhe telefonisë duhet t’i ruajnë për katër deri në dhjetë javë informacione të tilla se kush, kur, ku dhe me kë ka folur në telefon.
Prej vitit 2015 kur ka hyrë ligji në fuqi, ekziston një betejë gjyqësore e operatorëve të telefonisë e internetit me shtetin gjerman. Për këtë arsye, prej vitit 2017 ligji nuk praktikohej. Kompania kryesore gjermane e telekomunikacionit, Deutsche Telekom, dhe ofruesi i shërbimit të internetit, SpaceNet AG, ishin ankuar sërish në Gjykatën Federale Administrative, e cila iu drejtua GJED-së.
Kërkohet ligj i ri
Politika tani duhet të vendosë një ligj të ri për ruajtjen e të dhënave. Nga reagimet e para të ministrave të koalicionit tripartiak të qendrës së majtë, doli në pah se nuk ekziston ende një qëndrim i harmonizuar. Ministri liberal i Drejtësisë, Marco Buschmann, ( FDP) e përshëndeti vendimin.
Në një mesazh publikuar në rrjetin social Twitter, ai tha të martën se është “një ditë e mirë për të drejtat e qytetarëve” dhe se ky vendim hap rrugën për rregulloren e re. “Ruajtja e të dhënave pa shkak është e paligjshme në Gjermani. T
ani do të heqim me shpejtësi dhe përfundimisht mbajtjen e pajustifikuar të të dhënave nga ligji,” shkroi Buschmann. Buschmann favorizon atë që quhet “ngrirje të menjëhershme të të dhënave”. Kjo bëhet për të parandaluar krime të rënda, si sulme terroriste ose dhunën seksuale ndaj të miturve dhe përhapjen e pornografisë me fëmijë./DW