Në komisionin e Ligjeve u diskutua projektligji i PS-së, por edhe PD-së për hapjen e Dosjeve.
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu kërkoi që dosjet të hapen për të gjithë, me përjashtim të ish-të përndjekurve. Deputeti e argumenti kështu kërkesën e tij.
“Nuk mund të rihapen dosjet për ish-të përndjekurit, pasi ka histori dhe sajesa brenda familjeve nga sigurimi.
Mos u shtojmë mundimin brenda familjeve. Shtresën e të përndjekurve duhet ta përjashtojmë për të mos u shtuar më shumë dhimbje” kërkoi ai.
Por kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj ashtu si PS ishin kundër Mediut.
“Jam i prirur të shoh dhimbjen që ka ndodhur ndaj të gjithë pjesës së të persekutuarve politikë.
Dilema ka qenë kjo: të mos hapim dosjet se mund të ketë pasur raste kur vrazhdësia e ish sigurimit mund të ketë shkuar brenda familjeve të ish të përndjekurve politikë.
Por kjo ka edhe rastin tjetër që vrazhdësia e ish sigurimit nuk do të dilte asnjëherë.
Kjo lloj dileme na ka shoqëruar ne gjatë gjithë kohës. Ajo që kam bindjen që duhet të ndodhë është: e vërteta na bën të lirë.
Edhe ish të përndjekurit politikë që kundër dëshirës së tyre, të shtyrë, të shantazhuar, nën presion mund të jenë thyer nga presioni komunist, shoqëria shqiptare sot.
Por edhe familjet e tyre, do të duhet të kuptojnë që shkak nuk ka qenë thyerja e tyre, por ka qenë kriminaliteti i shtetit komunist” tha ai.