Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka shkuar sot për herë të parë në selinë e Partisë së Lirisë, që drejtohet nga Ilir Meta. Ish-presidenti postoi fotot nga takimi dhe zbardhi disa detaje nga biseda. Ilir Meta thotë se biseda u fokusua te marrëdhëniet mes dy vendeve, reformat dhe integrimi.
“Sot mirëprita në selinë e Partisë së Lirisë Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim. Ishte kënaqësi të diskutonim hapur dhe në mënyrë konstruktive mbi bashkëpunimin e Partisë së Lirisë me SHBA, në interes të forcimit dhe intensifikimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA, përmbushjes të detyrimeve tona si vend anëtar i NATO-s, si dhe reformave prioritare të përshpejtimit të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE” shkruan Ilir Meta.