Një shembull frymëzimi për një të dielë të paqtë. Biblioteka Gabriel Garcia Marquez sapo u hap në një lagje të Barcelonës, ku jetojnë kryesisht punëtore.
Është mbresëlënës investimi i qyteteve tek dija dhe krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, pavarësisht prejardhjes shoqërore.
Ky është lloji i investimit që të bën të pyesësh veten pse qytetet tona nuk i japin banorëve hapësirat e duhura publike.
Investimi tek dija është mënyra më e mirë për të shpëtuar të rinjtë nga veset dhe jeta si në një kumar, sikundër për të frenuar largimin e tyre nga Shqipëria.
Mungesa e investimit tek dija dhe mosndjekja e rrugëve të vështira por të qëndrueshme bën që inteligjenca jonë shpesh të kthehet në dinakëri, sepse ne nuk i mësojmë të rinjve kënaqësine e sakrificës por joshjen e përfitimit.
Para disa vitesh Korça u bë pionere e ndërtimit të “Qytezës së Fëmijëve” me palestër sportive, kënd lojrash, bibliotekë, amfiteatër, kinema, pavion ku mësohen vegla muzikore dhe ku zhvillohen kurse për pikturë, design dhe kodim.
Është koha që qytetet tona të inspirohen nga shembulli i Barcelonës duke investuar tek hapësirat publike që zhvillojnë dijen, bëjnë sportin masiv dhe nxisin jetën komunitare.
Fati i fëmijeve tanë përcaktohet sot!