Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e biznesmenit shqiptar, Fatmir Ara, në Itali.
Mësohet se policia italiane ka vënë në pranga dy bashkëshortë pak ditë pasi autori kryesor i dyshuar për ngjarjen të përfundonte pas hekurave.
Mediat italiane bëjnë me dije se bëhet fjalë për arrestimin e një të riu 30-vjeçar dhe një gruaje 44-vjeçare, të dy të papunë dhe të padënuar më parë.
Ata u arrestuan nga karabinierët e Venarias, në zonën e Torinos, të dyshuar si bashkëpunëtorë për vrasjen me paramendim të Fatmir Ara. Sipërmarrësit shqiptar i cili u gjet i vdekur në San Carlo, Canavese më 3 shtator.
Çifti i të arrestuarve kanë dhënë dëshmitë e tyre të para për orë të tëra para karabinierëve ditën e djeshme.
Davide Osella, i cili kishte pranuar krimin, u arrestua më 6 shtator për vrasjen.
Mediat italiane shkruajnë se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes së rëndë ku mbeti i pajetë shqiptari, baba i dy fëmijëve.
KRIMI
Fatmir Ara, 43-vjeçari shqiptar, i gjetur pasditen e 3 shtatorit pa shenja jetë në fshatin San Carlo, sipas autopsisë u vra me tre plumba, një prej të cilëve në kokë. Ai u ekzekutua me armë gjahu dhe para krimit u dhunua nga autori.
Ara ishte vrarë një ditë para se të gjendej trupi i tij i pajetë.
Ai u zhduk mëngjesin e së premtes pasi u nis për të shkuar në punë dhe nuk u kthye më në shtëpi, ku ndodhej edhe në arrest shtëpiak.
Bashkëjetuesja e tij, me të cilën kishte dy fëmijë, denoncoi zhdukjen e tij mëngjesin e së shtunës.
Trupi i pajetë u gjet pasdite në një fushë në zonën Ronchi-Ceretti. Ai kishte me vete dokumentet dhe kuletën dhe jo shumë larg viktimës u gjet makina e tij.