Pak ditë më parë mjekra dhe mustaqet e policëve ishin pjesë e debatit që u kthye në viral në rrjetet sociale. Shkak u bë një urdhër verbal me ardhjen e drejtorit të ri të policisë, Muhamet Rrumbullaku që nuk do të lejohen më policët me mjekër.
Por Sadedin Fishta, kryetar i sindikatës së Policisë pas takimit që pati me Rrumbullakun sqaron për “5pyetjet.al” si qëndron e vërteta.
“Nuk ka pasur problem ndonjëri që i ka lënë apo jo. Nuk ka pasur asnjë masë për ndonjë që i ka lënë. Drejtori e ka shprehur në formën e asaj që punonjësi ka një rregullore, që duhet të jetë edhe nga ana etike i pastër.
Do të thotë të dalësh pa krehur, pa rruar dhe pa u larë. Kjo është qytetari. Këto janë gjëra elementare. Tjetri që e ka në pasaportë apo kartë identiteti, janë shenja që nuk mund t’i ndryshosh pa ndryshuar edhe dokumentet.
Pastaj interpretimi është tjetër. Ideja nuk është tek heqja e mustaqeve apo mjekrës. Ka pasur historikisht policë me mustaqe. Nuk mund të lejohen tej mase të ekzagjeruara. Të pastrohet si pjesa tjetër e fytyrës, të jetë sikur është fotoja në dokumente” tha ai për “5pyetjet.al” duke qetësuar policët.