Gjatë muajve të fundit, çmimet e gazit dhe energjisë elektrike në Evropë janë rritur në nivele të paprecedenta me gati 100 për qind.
Më pas ato ranë me 1/3, dhe tani janë rritur sërish, që në momentin kur Rusia njoftoi se rivënia në punë e gazsjellësit “Nord Stream 1”, që dërgon gazin rus në Gjermani, do të pezullohej për një kohë të pacaktuar.
Shumë udhëheqës evropianë kanë reaguar ndaj luhatjeve të forta në çmimeve të energjisë në Evropë duke fajësuar tregjet.
Por “vrasja e lajmësit” nuk është asnjëherë qasja e duhur. Për politikë-bërësit evropianë, paqëndrueshmëria ekstreme e tregjeve të energjisë, tregon se këto tregje nuk janë më racionale.
Në fakt, gazi natyror po bëhet një mall i rrallë, dhe çmimet e energjisë thjesht po reagojnë në përputhje me rrethanat.
Pezullimi nga Rusia i punës së gazsjellësit “Nord Stream I” nuk ishte diçka e papritur, duke pasur parasysh faktin që nivelet evropiane të rezervimit të gazit po rriten me shpejtësi, dhe presidenti rus Vladimir Putin e di se do ta humbasë ndikimin e tij gjeopolitik nëse Evropa përgatitet për dimrin që po vjen pa gazin rus.
Shkalla e problemit është e madhe
Në frontin e kursimeve, rekordi i Evropës ka qenë deri më sot i përzier.
Çmimi i lartë i gazit, e ka detyruar industrinë të përdorë lëndë djegëse alternative apo të reduktojë prodhimin. Kështu kompanitë gjermane përdorën 20 për qind më pak gaz në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Por përdoruesit më të mëdhenj të gazit gjatë muajve të dimrit do të jenë familjet. Dhe ndërsa moti ftohet më shumë, do të jetë e vështirë që t’i bindësh njerëzit ta pakësojnë ngrohjen e shtëpive të tyre.LA REPPUBLICA