Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Për këtë takim njoftoi Lajçak përmes një cicërime në rrjetin e tij social Twitter.
Ai tha se janë takuar për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në Ballkan dhe rolin e BE-së si ndërmjetësues të dialogut.
“Ne diskutuam së bashku zhvillimet e fundit në Ballkan dhe ecuritë në dialogun e lehtësuar nga BE. Gjithmonë mirë të marrësh informatat nga dora e parë lidhur me punën e PE-së dhe angazhimet në regjion”, ka shkruar Lajçak.
Dialogu realisht ka ngecur
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian javën e shkuar bënë thirrje për “angazhim konstruktiv në dialog të Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë ka kohë që dialogu i nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi ka ngecur për faktin që palët kanë qëndrime të ndryshme se për ҫfarë duhet të diskutohet në tavolinën e bisedave.
Kosova kërkon që në këtë fazë të diskutohet ҫështja e personave të zhdukur, ndërsa Beogradi zyrtar kërkon që Prishtina të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë të mëhershme për DW-në, tha se Asociacioni “është i paimplementueshëm për faktin që këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës”.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi.
Dy vjet më pas, në vitin 2015, palët kishin arritur edhe një marrëveshje për parimet e themelimit të këtij Asociacioni.