Prej 20 ditësh qeveria ka rënë në heshtje duke mos denoncuar asnjë pallat apo kate pa leje. Të vetmit dhe të fundit ishin dy; një pallat pa leje i Julian Morinës dhe disa kate të Pëllumb Salillarit.
Më pas pllakosi heshtja. U miratua akti normativ që shpëton bosët e ndërtimit nga drejtësia dhe asnjë dalje pranë ndonjë pallati për të vendosur sekuestro apo konfiskime.
Çfarë po ndodh?
Kryeministri Edi Rama sot hodhi më shumë dritë lidhur me atë që po ndodh pas skenës. Në fund të mbledhjes së qeverisë kur u pyet nga gazetarët, Rama tha se biznesmenët që kanë ndërtuar pa leje janë paraqitur vetë në duart e qeverisë.
“Rezultatet do i shihni tani. Sepse po dorëzohen subjektet sepse e kuptojnë që nuk kanë më rrugë shpëtimi dhe nuk e gjejnë më te prokurori i radhës dorën e shtrirë për bakshishin e radhës” tha ai.
Pra, bazuar te përgjigja që tha vetë kreu i qeverisë, kompanitë e ndërtimit që kanë shkelur lejet ditët e fundit po zhvillojnë negociata me qeverinë për të arritur në një pakt bazuar te tre opsionet që ka dhënë kryeministri.
Opozita
Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë denoncuar që në momentin e parë të nismës se Edi Rama po amniston oligarkët duke ndarë katet dhe pallatet.
Deputeti Ervin Salianji doli dje në sheshin Skënderbej dhe drejtoi gishtin drejt një kulle, që tha se është 14 kate pa leje.
Sot Ilir Meta u shpreh se Partia e Lirisë po harton një projektligj që synon legalizimin e cdo objekti pa leje. “Edi Rama po i përdor ndërtimet pa leje për shantazh dhe presion përpara zgjedhjeve” tha ai.