Policia iraniane paralajmëroi më 28 shtator se do të merrej “me gjithë fuqinë që ka” në protestat e udhëhequra nga gratë që shpërthyen gati dy javë më parë pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini.
Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Teheranit që të përmbahet nga përdorimi i “forcës së panevojshme ose joproporcionale” kundër protestuesve.
Zyrtarët thanë se 60 njerëz kanë vdekur gjatë protestave, por grupi i Iranit për të Drejtat e Njeriut thotë se të paktën 76 persona janë vrarë që nga fillimi i protestave.
Gruaja kurde u shpall e vdekur tre ditë pasi Policia e Moralit, një njësi përgjegjëse për zbatimin e kodit të rreptë të veshjes në Iran për gratë, e arrestoi atë në Teheran për mbajtjen e një shamie “në mënyrë të pahijshme”.
Më 26 shtator, zyrtarët iranianë thanë se kishin arrestuar më shumë se 1200 persona, duke përfshirë aktivistë, avokatë dhe gazetarë.
Protestat në Iran po zhvillohen për 12 ditë me radhë.
Zyrtarët kanë thënë se Amini ka vdekur nga një atak në zemër, por familja e saj dhe disa grupe të të drejtave të njeriut i kanë hedhur poshtë këto supozime, duke thënë se ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas tyre, gruaja është rrahur derisa ishte në paraburgimREL/