Delegacioni i BE-së në Tiranë nuk lëviz nga qëndrimi kundër për ligjin e amnistisë fiskale. Ditën e sotme kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla me ministren e Financave zhvilloi një takim me ambasadorët e vendeve të akredituara në Tiranë.
Në përfundim ambasadorët u filmuan nga kamerat duke dalë të qeshur, mes tyre edhe diplomatja e BE-së, Christiane Hohmann por qëndrimi nuk ndryshoi.
Brukseli është kundër nismës në këtë mënyrë që është hedhur drafti për diskutim. Delegacioni kërkon ndryshime të forta dhe shpreh shqetësimin serioz nëse do të miratohet në këtë version që është aktualisht.
“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion” tha Delegacioni i BE-ne Shqiperi.
Shumë vende të BE-së janë shprehur kundër amnistisë fiskale. Britania dhe gjithashtu Dhoma Amerikane e Tregtisë është shprehur shumë skeptike.
Por Kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur për ta çuar përpara këtë nismë. Ai u shpreh dje se amnistia fiskale do të miratohet dhe se qeveria nuk është tërhequr, por është në fazën e konsultimeve.
Amnistia fiskale ka për qëllim që të formalizojë paratë e fituara në të zezë dhe jo nga veprimtari kriminale, sipas qeverisë, por kursimet e emigrantëve shqiptarë.