Prokuroria Speciale në Hagë ka ndryshuar aktakuzën kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që nga aktakuza të hiqen pretendimet për krime në qytetin e Ferizajt.
Prokuroria Speciale e Hagës shpjegon se ka vendosur të mos mbështet në provat e [Redaktuar] dhe se konsideron se ka tani nuk prova të pamjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e Ferizajt”, thuhet në dokumentin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara.
“Prokuroria Speciale kërkon leje për të ndryshuar aktakuzën e Konfirmuar, që të hiqen pretendimet për krime të kryera kundër të paktën një viktime ndërmjet rreth [Redaktuar] 1999 në një shtëpi ose rreth Ferizajt.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Hagës dhe ka urdhëruar të njëjtit që të tërheqin pretendimet e cekura rreth një krimi të pretenduar në Ferizaj.
Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimi.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.