Spiuni kryesor i Rusisë tha sot se Moska ka materiale që tregojnë se Perëndimi ka një rol në rrjedhjet e gazsjellësit nënujor të Rrjedhës Veriore.
Këto rrjedhje në tubacione kërcënojnë t’i lënë jashtë biznesit në mënyrë të përhershme, ndërkohë që frika për një fatkeqësi të madhe ekologjike po intensifikohet .
“Ne kemi materiale që tregojnë një gjurmë perëndimore në organizimin dhe zbatimin e këtyre akteve terroriste”, tha sot Sergei Naryskin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Akuza më e drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit nga Moska
Deklarata e Naryskin është akuza më e drejtpërdrejtë kundër Perëndimit nga një zyrtar i lartë rus për këtë çështje. Ai nuk tha se çfarë provash ka Rusia.
Presidenti Vladimir Putin tha dje , të enjten, se “sabotimi i paprecedentë” kundër tubacioneve Nord Stream ishte “një akt i terrorizmit ndërkombëtar”.
Bashkimi Evropian po heton rrjedhjet nga tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 dhe ka thënë se dyshon se pas dëmtimit qëndron sabotimi, i cili u zbulua në brigjet e Danimarkës dhe Suedisë.
Ministri suedez i Energjisë tha sot se ka “shumë të ngjarë” që sulmi ndaj tubacioneve të jetë bërë qëllimisht nga një aktor shtetëror.
Pasi u identifikuan rrjedhjet në fillim të kësaj jave, zyrtarët në Moskë kanë lënë të kuptohet se Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA, mund të jetë prapa sulmit. Dje, të enjten, përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Uashingtoni do të përfitojë nga dëmtimi i tubacioneve.