Partia Demokratike ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar në median malazeze ”Pobjeda”, ku pretendohet se Kryetari i PD Sali Berisha, ka marrë financime ruse.
Në reagim sqarohet se ky është një abuzim i trashë i informacionit dhe mosnjohje e fakteve nga kjo media, në rastin më të keq, të agjendave politike dhe nacionaliste.
Në sqarim, PD thekson se artikulli i referohet zyrtarit amerikan që zbuloi se selia blu ishte financuar nga Rusia, por që në atë kohë, kjo parti drejtohej nga Lulzim Basha e jo Berisha. Ky i fundit u dorëhoq në vitin 2013, kur edhe la pushtetin pas zgjedhjeve përballë Partisë Socialiste. PD kërkon korrektim e përgënjeshtrim të lajmit, në të kundërt, paralajmëron padi sipas legjilacionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
”Së pari, sqarojmë se z. Berisha nuk ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, dhe është rizgjedhur në këtë post vetëm më 22 maj të vitit 2022.
Së dyti, ‘dosja e financimeve ruse’, ku përmenden lidhje të ndryshme politike të Rusisë në Ballkan, ndër to edhe PD, në zgjedhjet e vitit 2017, kohë në të cilën ka qenë kryetar z. Lulzim Basha, ka marrë një përgjigje shteruese në gjykatat shqiptare.“, shkruan PD.