Viktor Ymeri ose siç njihet ndryshe në Vlorë, si “Tori i Xhihanes” ka qenë mes lajmeve kryesore këtë javë.
I dënuar dhe aktualisht në regjimin “41-bis” bazuar te pretendimet e SPAK-ut se komunikon me grupet kriminale jashtë.
Tre ditë më parë u arrestuan disa zyrtarë në burgjet e Fierit dhe Tiranës për skema favorizuese për uljen e dënimit për të burgosurit. Mes përfituesve rezultonte edhe Ymeri.
Dje doli në gjyq për masën që i vendosi SPAK për regjimin “41- bis”. Përplasjet në gjyq me drejtuesen ishin të forta. Aq sa gjyqtarja urdhëroi që të nxirrej jashtë nga policia.
“Nuk e kuptoj arsyen përse SPAK më ka futur në “41-biss” dhe përse trajtohem ndryshe nga të tjerët.
Kam tërë jetën burgjeve dhe më duket sikur nuk kam qenë ndonjëherë i lirë. Ato pak muaj qe më nxorën jashtë burgut, më bënë shumë keq.
M’u vërsul i gjithë shteti mbi shpinë derisa më gjetën një pretekst për të më futur prapë në burg.
Më mirë mos të kisha dalë fare se nëse nuk do kisha dalë nuk do isha në këtë proces” tha ai.
Por përse është dënuar?
Ymeri është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen në Durrës të Arben Pajës e Ilir Xhungës, dy miqtë e Lulzim Berishës.
Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës (Gaxhait).
Por dy vite më parë SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005-ën, të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. Ymeri është akuzuar si i përfshirë në këtë krim.