Kryeministri Edi Rama mohoi që tërheqja e vendimit për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të dritave lidhet me zgjedhjet në prag dhe zemërimin qytetar.
“Nuk ka lidhje me asnjë tenxhere zemërimi dhe grumbullimi. Kemi pasur dy elementë që na kanë ndihmuar, që ta shtyjmë dhe jo të heqim dorë nga fasha.
E para që reshjet, që kemi pasur reshje që kanë shtuar kuotat në Fierzë. Dhe së dyti një trend kursimi” tha ai.
Por në nëntor mund të ketë surpriza. “Nëse trendi i kursimit do të vazhdojë dhe reshjet atëherë do ta kalojmë pa asnjë të papritur tetorin.
Nëntorin do të vendoset fasha duke parasysh parametrat ose do i rikthehemi diskutimit” tha ai.
I njohu vetes një meritë. “Ne kemi bërë një kontratë me HEC-et private, që me detyrimin për parablerje sot do ta çonin shpenzimin e buxhetit në pikën ku do të kishim një hap larg dhëmbët e falimentimit të shtetit.
Ne i rinegociuam dhe vendosëm një tavan përballë investitorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të tyre që kundërshtonin.
Ne sot kemi shumë më pak detyrime ndaj tyre dhe kemi një përfitim shumë më të madh. 300 mln euro të kursyera në vit” tha Rama.
Një qytetar e ofendoi duke i thënë faqezi. “Sigurisht që ofendimet nuk janë argumente, por unë e mendoj që nuk kam përse të inatosem me këdo mik të kësaj faqe që lëshohet në ofendime” tha ai.